Besart Berisha vazhdon të shfaqet i papërmbajtshëm në kampionatin australian dhe për më tepër vazhdon të jetë lojtari më i spikatur i këtij kampionati. Ylli i Brisbein Roar ka ndihmuar përsëri skuadrën e tij drejt një suksesi, në fitoren 3-0 në transfertë ndaj Perth Glori.
Futbollisti shqiptar ka qenë autori i pasimit për Henrike në minutën e 21-të, ndërsa ky i fundit e ka dërguar topin në rrjetë. Më pas, në pjesën e dytë, sulmuesi ka arritur të shënojë dy gola për të vulosur fitoren e skuadrës së tij.
Në minutën e 59-të ai ka kontrolluar topin në zonë, i është shmangur mbulimit të mbrojtjes dhe ka dërguar topin në rrjetë.
Vetëm 4 minuta më vonë, Berisha ka goditur fluturimthi nga një distancë e afërt për të gjetur rrjetën dhe për të shuar përfundimisht shpresat e ekipit kundërshtar.
Me këtë dygolësh. Berisha ka çuar në 17 numrin e rrjetave të tundura në këtë sezon, ndërsa shpreson të thyejë rekordin e golave të kampionatit australian, i cili është vetëm 2 gola larg.
Për me tepër, falë kontributit të tij, Brisbein Roar vazhdon të konsolidojë vendin e dytë në renditje dhe është bërë pretendent kryesor për të fituar titullin në Australi. (LajmeShqip.com)
Saturday, 25 February 2012 18:08