Zambia ka arritur në finalen e Kupës së Afrikës për herë të parë që nga viti 1994, duke shkaktuar një surprizë duke triumfuar në gjysmëfinale përballë Ganës me rezultatin 1-0. Emanuel Majuka shënoi në minutën e 78-të të takimit, duke siguruar këtë rezultat të rëndësishëm për ekipin e tij, ndonëse Gana duhet të fajësojë veten për rastin e humbur. Asamoah Gian ka humbur një 11-metërsh në minutën e 8-të duke rikujtuar skenat e Botërorit 2010 kur në çerekfinalen përballë Uruguait humbi penallti në minutën e fundit shtesë. Fati ka sjellë që finalja të zhvillohet të dielën në Librevill, aty ku është shënuar edhe fatkeqësia më madhe e historisë së futbollit të Zambias. Në vitin 1993, aty u rrëzua një avion që mbante ekipin kombëtar të futbollit të këtij vendi dhe humbën jetën 25 futbollistë e zyrtarë.
Kundërshtarë në finale do të jenë favoritët e turneut, Bregu i Fildishtë. Ekipi i Didier Drogba ka fituar po 1-0 ndaj Mali, ndonëse ka dominuar të gjithë takimin. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Gervinjo në minutën e 45-të. Sulmuesi i Arsenalit dribloi gjithë mbrojtjen kundërshtare që nga gjysmëfusha e tij duke dërguar më pas topin në rrjetë. Didier Drogba dhe Jaja Ture goditën të dy shtyllën, ndërsa Bregu i Fildishtë arriti të shkonte në finale pa pësuar asnjë gol. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 08 February 2012 22:54