Kupa e Afrikës ka filluar menjëherë me emocione të shumta, pasi që në ditën e parë ka patur rezultate surprizë. Guinea Ekuatoriale ka mundur Libinë me rezultatin 1-0, në një takim të filluar mes protestave nga ekipi libian, të cilët kanë kërkuar heqjen e flamurit të Gadafit nga stadiumi dhe vendosjen e flamurit të tyre të ri.
Ndërkohë, Guinea Ekuatoriale e cila është edhe bashkë-organizatore e turneut me Gabonin, është shfaqur me një formacion tërësisht “të natyralizuar”, pasi asnjë prej futbollistëve titullarë nuk ka lindur në këtë vend. Pikërisht një nga 5 lojtarët e lindur në Spanjë dhe me një të kaluar te Reali i Madridit, Havier Balboa, ishte ai që shënoi golin e vetëm të kësaj sfide në minutën e 86-të të takimit, duke siguruar një fitore të vlefshme si dhe një premio prej 1 milionë dollarësh të premtuar nga presidenti i këtij vendi.
Në sfidën tjetër, surpriza ka qenë edhe më e madhe pasi modestët e Zambias kanë mundur 2-1 Senegalin. Ndonëse këta të fundit vinin në turne si pretendentë, nuk kanë qenë të përgatitur për fillimin e shpejtë të Zambias që gjeti dy herë golin brenda 20 minutave. Goli i N’Doje në minutën e 74-t ishte shumë vonë për të siguruar të paktën një barazim në këtë sfidë për senegalezët. (LajmeShqip.com)
Sunday, 22 January 2012 10:14