Bregu i Fildishtë dhe Zambia janë dy skuadrat e para gjysëmfinaliste të Kupës së Afrikës pasi kanë fituar të dyja me rezultatin 3-0 ndeshjet respektive në çerekfinale. Zambia ka mundur 3-0 Sudanin, një prej ekipeve surprizë të turneut, por që këtë radhë e ka patur thuajse të pamundur të reagojë përballë superioritetit të ekipit kundërshtar. Sunzu, Katongo dhe Çamanga kanë vulosur suksesin për Zambian që në ndeshjen gjysmëfinale do të vihet përballë fitueses së çiftit Gabon-Mali.
Në takimin tjetër çerekfinal, Bregu i Fildishtë ka mposhtur me rezultatin 3-0 vendasit e Guinesë Ekuatoriale falë një prove të shkëlqyer të Didier Drogba. Sulmuesi ka humbur një 11-metërsh në minutën e 29-të, por më pas ka shlyer gabimin duke shënuar dy gola në portën e mbrojtur nga Danilo, ndërsa rezultati është vulosur nga goditja e dënimit e Jaja Ture. Për Bregun e Fildishtë, në gjysmëfinale do të jetë si kundërshtar fituesi i çiftit Ganë-Tunizi. (LajmeShqip.com)
Saturday, 04 February 2012 23:26