Djali i presidentit të Guineas Ekuatoriale i ka dorëzuar lojtareve të kombëtares së këtij vendi një çek prej 1 milionë dollarësh si shpërblim për fitoren në ndeshjen e hapjes së Kupës së Afrikës ndaj Libisë.
Teodorin Obiang Nguema organizoi një ceremoni me skuadrën ku përveç kësaj shume, ai dha edhe 20 mijë dollarë për autorin e golit Balbo dhe 20 mijë të tjera për Bolado, ndonëse goli i këtij të fundit ishte anuluar.
“Ju uroj që të luani kundër Senegalit ashtu siç bëtë në ndeshjen e parë, duke shënuar më shumë gola. Bonuset e mia do të vazhdojnë në të ardhmen”, ishte premtimi i djalit të presidentit të vendit.
Guinea Ekuatoriale është bashkë-organizatore e turneut me Gabonin, por kjo ka ngjallur pakënaqësi te grupet që luftojnë për të drejtat e njeriut.
Ata kanë akuzuar familjen e presidentit se po vjedh dhe keqpërdor paratë e popullit në një shtet ku shumica e njerëzve jetojnë nën kufirin e varfërisë, ndonëse ky vend ka depozita të mëdha nëntokësore nafte. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 25 January 2012 10:23