Ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Josip Kuzhe, ka hedhur poshtë të gjitha akuzat që bëhen ndaj tij për pjesëmarrjen në trukimin e ndeshjeve të kuqezinjve.
Kroati, i cili aktualisht është trajner në kampionatin kinez të futbollit, në një intervistë të dhënë për gazetën shqiptare “Panorama Sport” ka lënë të kuptohet se nuk ka gisht në këtë mesele dhe se nuk dyshonte që dikush tjetër ta kishte bërë një gjë të tillë.
“Më duket diçka shumë qesharake. E para, në ndeshjen me Argjentinën as që na shkonte ndër mend të merrnim rezultat. Shkuam me një skuadër të re, me lojtarë pa eksperiencë të cilët vinin nga kampionati shqiptar. Në këtë kontekst, unë nuk e di se si unë mund të kem trukuar një ndeshje të tillë, ndaj një superfuqie si Argjentina”.
“Ndeshjen me Malin e Zi e fituam. Nëse do të kishim humbur ose do të vërehej ndonjë anomali në lojë nga ana jonë, atëherë unë do të kisha qenë i pari që do të shprehja mendimin tim. Unë them jo dhe jam i sigurt 100% edhe për ekipin tim”, ishte komenti i Kuzhe ndaj akuzave që i janë bërë për trukimin e dy miqësoreve të kombëtares.
Po si është e mundur që trajneri përmendet në trukimet greke? Kroati mendon se gjithçka është sajuar për të bërë të besueshëm vendimin për të hedhur shuma të mëdha bastesh, por kjo nuk do të thotë se ai njeh ndonjë nga pjesëtarët e bandës kriminale të arrestuar në Selanik.
“Nuk e di se si ka dalë emri im aty, paçka se në të tilla raste, persona ordinerë, për të justifikuar punët e tyre, nxjerrin emra lojtarësh e trajnerësh. Por kjo nuk do të thotë se kush më përmend emrin është miku im apo unë duhet me patjetër ta njoh dhe të kem lidhje me të”, shprehej Kuzhe në intervistë. (LajmeShqip.com)
Monday, 23 January 2012 15:02