Ndeshjet miqësore të kombëtares shqiptare të futbollit janë trukuar. Lajmi vjen nga Greqia ku pas arrestimit nga policia të katër bandave kriminale në Selanik, është zbuluar se ata merreshin edhe me trukime ndeshjesh të ekipeve kombëtare.
Sipas mediave greke, 53 personat e arrestuar ishin pjesë e një rrjeti që merrej me pastrim parash, huadhënie, kërcënime, mashtrim dhe shantazhe.
Por burimi kryesor i të ardhurave ishte trukimi i ndeshjeve të futbollit, ku sipas asaj që del nga zyrat e hetuesisë, bëhet fjalë për ndeshjet miqësore të kombëtares shqiptare të vitit 2011 si dhe të përfaqësueses sllovake.
Përgjimet telefonike kanë zbardhur edhe sigurinë me të cilën janë vënë bastet. Në bazë të përgjimeve, një person me nofkën “portugezi” i propozon kreut të njërit prej grupeve, Marko Karamberit, të vënë baste të mëdha në dy ndeshjet miqësore të kombëtares shqiptare të futbollit, Shqipëri-Mali i Zi 3-2 dhe Argjentinë-Shqipëri 4-0.
Sipas këtij përgjimi, gjithçka është e sigurt dhe mund të vihej bast për cilindo rezultat që dëshirohej pasi “garancia” kishte ardhur nga vetë trajneri i kombëtares shqiptare.
Hetimi në fjalë ka bërë shumë bujë, por detaje të tjera pritet të zbulohen në ditët në vazhdim, pasi policia po vazhdon ende të marrë në pyetje personat e arrestuar. Mbetet për t’u parë roli i protagonistëve shqiptarë në këtë çështje si dhe përfshirja e ish-trajnerit të kombëtares, Josip Kuzhe, i cili u largua nga stoli i ekipit në fund të vitit 2011.
Kjo nuk është hera e parë kur përfaqësuesja shqiptare e futbollit përmendet për trukimin e ndeshjeve. Dyshimet për trukime i ka hedhur edhe ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Oto Bariç, i cili humbjen 6-1 me Rumaninë ua faturoi lojtarëve që sipas tij kishin shitur ndeshjen. (LajmeShqip.com)
Saturday, 21 January 2012 13:30