Besart Berisha duket se është penduar për gjestin që kreu gjatë fundjavës dhe që la në plan të dytë faktin se shënoi golin e fitores në sfidën mes Sidnei dhe Brisbein.
Nga hero, ai u kthye në një personazh të urryer pasi “ftoi” një prej kundërshtarëve që të ziheshin në dhomat e zhveshjes, duke nisur një zënkë që përfshiu të dy skuadrat.
Brisbein, Sidnei dhe Berisha kanë kohë deri të enjten pasdite të shpjegojnë ngjarjet, në mënyrë që Federata Australiane e Futbollit të mos i ndëshkojë më shumë se me një gjobë.
“Unë kërkoj falje. Ai person nuk jam unë”, tha sulmuesi shqiptar për “Courier-Mail”.
“Unë jam një luftëtar në lojë, luftoj për skuadrën time. Të shtunën ndodhën disa gjëra që nuk duhej të kishin ndodhur në fushën e lojës. Ishte një gabim nga ana ime”.
“Kjo nuk duhej të ndodhte në një ndeshje të Brisbein, pasi Brisbein nuk është kështu. Futbolli nuk është kështu”, ishte ndjesa e Berishës për gjestin e tij. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 18 January 2012 17:46