Sebastian Vetel ka fituar Çmimin e Madh të Bahrein në Formula 1, duke marrë kësisoj suksesin e dytë në këtë kampionat dhe duke çuar në 10 pikë diferencën nga ndjekësi më i afërt, që mbetet Kimi Raikonen.
Gjermani i Red Bull ka zhvilluar garën perfekte, pasi ka arritur të ruajë vendin e dytë në momentet kaotike të xhiros së parë, ndërsa më pas ka kaluar edhe Rosberg që gjendej para tij, duke krijuar menjëherë shkëputje me ndjekësit. Ai ka shkuar i qetë drejt finishit të garës, duke mos u shqetësuar për atë që ndodhte pas krahëve të tij, ku pilotë të shumtë kanë ndryshuar shpesh pozicionet duke e bërë këtë një nga garat me kaotike të sezoneve të fundit.
Por ironikisht, edhe këtë radhë në podium pas krahëve të tij kanë përfunduar dyshja e Lotus, me Raikonen e Groszhan që kanë nisur garën shumë keq, por më pas kanë fituar pozicione të njëpasnjëshme dhe kanë arritur të marrin pikë të vlefshme si në luftën për botërorin e pilotëve, ashtu edhe në atë të konstruktorëve.
Vendi i katërt i shkoi Pol Di Resta me makinën Force India, i cili kishte zgjedhur një strategji me vetëm dy ndalesa në bokse, në kundërshtim me pjesën më të madhe të pilotëve. Ai gjendej shumë pranë podiumit të parë në karrierë, por gëzimi i një pozicionimi të tillë iu mohua vetëm 6 xhiro para fundit nga Groszhan, që e parakaloi.
Luis Hemilton me Mercedes më pas kryesoi një grup pilotësh që ndërruan shpesh pozicionet me njëri tjetrin, duke lënë mbrapa Perez (MekLaren), Ueber (Red Bull), Alonso (Ferrari), Rosberg (Mercedes) e Baton (MekLaren).
Duhet theksuar se dy pilotët e MekLaren, Perez e Baton kanë zhvilluar një duel spektakolar mes tyre gjatë kësaj gare, ashtu siç ndodhi edhe mes meksikanit e Ueber, me parakalime të shumëfishta që bënë që kjo garë të kujtohet për shumë momente spektakolare.
Zhgënjimi i ditës ishin makinat Ferrari, pasi Alonso pati një defekt me sistemin DRS dhe u detyrua të hynte dy herë radhazi në bokse që në fillimin e garës, ndërsa Masa pësoi dy herë shpim gome dhe përfundoi jashtë zonës së pikëve. (LajmeShqip.com)
Renditja e Kampionatit për pilotë të Formula 1:
77 Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)
67 Kimi Raikonen (Lotus-Reno)
50 Luis Hemilton (Mercedes)
47 Fernando Alonso (Ferrari)
32 Mark Ueber (Red Bull-Reno)
30 Felipe Masa (Ferrari)
26 Roman Groszhan (Lotus-Reno)
Renditja e Kampionatit për konstruktorë të Formula 1:
109 Red Bull-Reno
93 Lotus-Reno
77 Ferrari
64 Mercedes
26 Force India-Mercedes
23 MekLaren-Mercedes
Sunday, 21 April 2013 19:07