Piloti i Red Bull, Mark Ueber, mendon se konsumi i gomave po shkatërron plotësisht argëtimin e pilotëve në garat e Formula 1. Ai është i ndërgjegjshëm se pilotët gjithmonë kanë luftuar me probleme të veçanta gjatë garave si rifurnizimi me karburant apo kualifikuese me vetëm një xhiro, por mendon se tani konsumi i gomave ka hequr vëmendjen nga lufta në pistë, duke e kthyer gjithçka në një betejë për të ruajtur sa më gjatë gomat.
“Mendoj se ne, pilotët që kemi zhvilluar më shumë se 100 gara, kemi një këndvështrim tjetër mbi mënyrën se si zhvillohen garat aktualisht. Për shembull, në Monako, unë fillova të kujdesesha për gomat e mia që në xhiron e tretë! Mund të shihej qartë që edhe Rosberg po bënte të njëjtën gjë. Edhe strategjia në bokse ka ndryshuar. Tani është: ‘Ja ku jemi ne, ja ku janë gomat, a na çon dot nga pika A në B’”, shpjegoi Ueber.
“Kjo është një mënyrë krejtësisht ndryshe e të garuarit. Kemi ende momente të këndshme në makinë, për këtë nuk ka dyshime. Por tani ana që të kënaq gjatë garave ka kaluar në minorancë në krahasim me më parë”.
Sipas tij, tashmë betejat e vërteta do të gëzoheshin vetëm në xhirot e fundit të garave. “Unë dhe Luis Hemilton luftuam në këtë mënyrë në 3-4 xhirot e fundit në Bahrein. Por nuk do ta bënim të njëjtën gjë në xhiron e 7-8, pasi kjo do të thotë të shkatërrosh gomat dhe planifikimin e xhirove me to në pistë”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 18 June 2013 13:55