Arsen Venger insiston se Teo Uollkot “i përket” Arsenalit, pas paraqitjes së shkëlqyer të lojtarit anglez që shënoi 3 gola në suksesin 7-3 ndaj Njukasëll. 23 vjeçari ka edhe 3 muaj të mbetur në kontratën e tij me klubin londinez, e në rast se nuk rinovon, mund të bëhet ylli i radhës që largohet nga Arsenali.
Por trajneri mendon se futbollisti që po transformohet nga një mesfushor në një sulmues të mirëfilltë, ka një ndjenjë mjaft të madhe për klubin të cilit iu bashkua kur ishte vetëm 16 vjeç në vitin 2006.
“Ai i përket kësaj skuadre. Unë dua që ta zgjidhim çështjen e rinovimit sa më shpejt. Mendoj se Uollkot e dashuron këtë klub dhe klubi e do atë gjithashtu”.
Futbollisti filloi serinë e golave të tij në këtë ndeshje me një aksion të filluar nga e majta, të kurorëzuar me një gjuajtje të harkuar, të pakapshme për portierin Tim Krul, një kujtesë e golave që shënoheshin disa vite më parë nga legjenda e “topçinjve”, Tierri Henri.
“Ai ishte një gol tipik si ato të Henri”, pranoi Venger. “Ai është paraqitur mjaft mirë, kjo personifikon atë që është në gjendje të bëjë. Ai mund të luajë më në qendër, do të bëhet më i fortë me kalimin e kohës. Teo është një finalizues i mirë, ka mësuar shumë pasi është një futbollist inteligjent. Jam i sigurt se ai do të vazhdojë të përmirësohet”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 30 December 2012 11:22