Lufta për titull në Angli është ndezur edhe më shumë, si meritë e Totenhemit që ka arritur përsëri të ndalë skuadrën e Aleks Ferguson. Nëse në takimin e fazës së parë të zhvilluar në “Old Traford” londinezët fituan 3-2 ndaj “djajve të kuq”, këtë radhë ata i kanë ndalur në një barazim dramatik 1-1.
Takimi ka qenë në dyshim deri në minutën e fundit për shkak të reshjeve të dëborës, por në fund u vendos të luhej, ndonëse në një terren të rënduar. Por duket se kjo nuk përbënte një problem për Robin Van Persin i cili në minutën e 22-të të takimit shënoi golin e tij të 17-të në kampionat, i 25 në total i këtij sezoni të parë të shkëlqyer që po kalon te Mançester Junajtid. Avantazhi i siguruar nga holandezi i dha qetësinë e duhur Mançester Junajtid që u mundua në të gjitha mënyrat të ruante energjitë, duke bërë që ndeshja të kthehej hera-herës e mërzitshme, ndonëse Totenhemi ishte më ngulmues në gjetjen e rrugës së rrjetës.
Kur takimit po i vinte fundi dhe gjyqtari akordoi 3 minuta shtesë, dukej se skuadra e Ferguson kishte rrëmbyer tre pikë të vlefshme në luftën për titull. Por londinezët prishin planet e trajnerit skocez duke shënuar pikërisht në minutën e 93-të me anë të Klint Dempsi që dërgoi topin në rrjetë duke i dhënë një pikë mëse të merituar skuadrës së tij.
Me këtë barazim, Mançester Junajtid mbetet 5 pikë para Mançester Sitit në renditjen e kampionatit, ndërsa Totenhemi tashmë është në vendin e katërt, 4 pikë pas Çelsit të vendit të tretë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 20 January 2013 19:36