Liverpuli ka bërë të ditur se është gënjyer nga Luis Suarez, i cili kishte siguruar se do t’i shtrëngonte dorën Patris Evra, por nuk e ka bërë këtë gjë në fushën e lojës në ndeshjen ndaj Mançester Junajtid. Uruguaiani kërkoi falje publike për gjestin e ti, por detyroi edhe klubin nëpërmjet drejtorit të përgjithshëm Ian Aire të bënte një gjë të tillë, bashkë me trajnerin Dalglish.
“Ne jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer që Luis Suarez nuk i shtrëngoi dorën Patris Evra para ndeshjes. Lojtari na kishte thënë që do ta bënte një gjë të tillë, por pastaj zgjodhi të bënte të kundërtën. Ai kësisoj gaboi dyfish, duke na gënjyer dhe duke mos i shtrënguar dorën kundërshtarit të tij. Ia kemi bërë të qartë që sjellja e tij është e papranueshme dhe ai ka kërkuar falje”, u shpreh Aire.
Si rrjedhojë, në faqen e internetit të klubit është shfaqur një deklaratë e Suarez, ku ky i fundit kërkon falje për atë që ka bërë. “Kam folur me trajnerin dhe e kuptoj që kam gabuar. Kam zhgënjyer jo vetëm atë, por edhe klubin dhe atë që përfaqëson ndaj kërkoj falje, kam bërë një gabim dhe më vjen keq për atë që ka ndodhur. Duhej të kisha shtrënguar dorën e Evra ndaj kërkoj ndjesë për veprimet e mia”, ishte deklarata e Suarez.
Nuk ka vonuar dhe ka ardhur edhe kundërpërgjigja e Mançester Junajtid, që ka pranuar kërkesën e uruguaianit po nëpërmjet një komunikate për shtyp të shfaqur në faqen e internetit të klubit.
“Mançester Junajtid falënderon Liverpulin për ndjesën pas ndeshjes së të shtunës. Çdokush në “Old Traford” dëshiron të lërë pas krahëve këtë çështje. Historia e dy klubeve tona të mëdha është ajo e suksesit dhe rivalitetit të pakrahasueshëm në futbollin britanik. Ky duhet të jetë objektivi në të ardhmen për të gjithë ata që i duan këto klube”, shkruhej në deklaratën për shtyp.
Shfajësimet erdhën pasi çështja Suarez-Evra mori ngjyrime politike, aq sa kryeministri britanik Devid Kameron vendosi që të mbante një tavolinë të rrumbullakët me Ministrinë e Kulturës, mediat dhe përfaqësues të sportit për të luftuar gjestet raciste në sport. Në të njëjtën kohë, aksionarët e kompanisë amerikane “Fenway Sports Group”, që është pronare e Liverpul, kanë kërkuar urgjentisht që të zgjidhet çështja për të mos dëmtuar më tepër imazhin ndërkombëtar që kishte krijuar kjo kompani. (LajmeShqip.com)
Sunday, 12 February 2012 19:07