Mançester Junajtid ka fituar 2-1 përballë Liverpulit në një sfidë shumë të tensionuar ku nuk kanë munguar gjestet antisportive mes të dy palëve. Dihej që të vëzhguarit e ndeshjes do të ishin Patris Evra dhe Luis Suarez, pasi ky i fundit u pezullua 8 ndeshje për fyerje racore ndaj futbollistit me ngjyrë. Asnjë prej të dyve nuk ka zhgënjyer, duke vazhduar serinë e gjesteve antisportive. I pari ishte Suarez, i cili në hyrjen në fushë nuk i shtrëngoi dorën Evra, ndërsa ky i fundit tentoi ta kapte me forcë nga krahu. Kundërpërgjigja e kapitenit të Mançester Junajtid ka ardhur pas përfundimit të takimit, kur ka shkuar të festojë para fytyrës së Suarez, duke shkaktuar një zënkë në fushë me lojtarët e tjerë të Liverpulit.
Atmosfera e tensionuar është pasqyruar edhe në ndeshje, ku skuadrat janë shfaqur shumë të kujdesshme për të mos pësuar gol gjatë të gjithë pjesës së parë. Vendimtar do të ishte fillimi i pjesës së dytë ku brenda 3 minutave është Runi që shënon dy gola njëri pas tjetrit për të qetësuar skuadrën e tij. Liverpuli pëson një goditje të rëndë, ndërsa e ka shumë të vështirë të reagojë. Shpresat e skuadrës së drejtuar nga Dalglish ringjallen në minutën e 80-të kur pikërisht Suarez devijon në portën e De Gea një goditje dënimi. Megjithatë, portieri spanjoll shpëton skuadrën e tij nga një barazim i mundshëm me një ndërhyrje vendimtare ndaj gjuajtjes të Xhonson në minutën e fundit shtesë, duke siguruar 3 pikët që e ngjitin Mançester Junajtid në kreun e renditjes. (LajmeShqip.com)
Saturday, 11 February 2012 16:07