Java e 18-të e kampionatit anglez ka filluar me fitoret e rëndësishme të Mançester Sitit dhe Arsenalit, me të parët që përpiqen të rihapin kampionatin në ndjekje të Mançester Junajtid dhe të dytët që luftojnë për t’u ringjitur fillimisht mes 4 më të mirëve, e pastaj edhe për të tentuar objektiva më prestigjiozë.
Mançester Siti ka dominuar ndaj Riding, por e ka pasur shumë të vështirë të gjente rrugën e rrjetës, falë saktësisë në manovrat mbrojtëse të ekipit kundërshtar, por edhe pasaktësisë së vetë sulmuesve të kampionëve të Anglisë. Megjithatë, për të shpëtuar Mançinin nga një tjetër hap i gabuar në shtëpi ka menduar mesfushori Garet Berri, i cili në minutën e fundit të sfidës ka shënuar me kokë goli e fitores, duke çuar ekipin e tij vetëm 3 pikë pas Junajtid.
Shumë i shkëputur, 12 pikë larg kryesuesve të kampionatit, është Arsenali, që ka fituar 1-0 në fushën e Uigan. Megjithatë, kjo fitore ndihmon “topçinjtë” të ngjiten përkohësisht në vendin e tretë në renditje e të vazhdojnë progresin e tyre të ngadaltë. Ndeshja është zgjidhur nga një penallti e Arteta në pjesën e dytë, ndërsa duhet theksuar se trajneri i londinezëve ka preferuar përsëri Teo Uollkot si sulmues, duke lëshuar sinjale të qarta se është gati të plotësojë kushtet e anglezit për rinovimin e kontratës. (LajmeShqip.com)
Premier League
Java 18 / Rezultatet
Uigan-Arsenal 0-1
60’ (p) Arteta
Mançester Siti-Riding 1-0
90’ Berri
Njukasëll-QPR 1-0
81’ Shola Ameobi
Sauthempton-Sandërlend 0-1
42’ Fletçer
Totenhem-Stouk 0-0
Uest Bromuiç-Noruiç 2-1
44’ Gera, 82’ Lukaku / 23’ Snodgras
Uest Hem-Everton 1-2
14’ Kol / 64’ Aniçebe, 73’ Pienar
Liverpul-Fullhem 4-0
8’ Skrtel, 36’ Xherard, 52’ Dauning, 90’ Suarez
Saturday, 22 December 2012 21:46