Karl Hainz Rumenige ka bërë thirrje për respekt të ndërsjellë mes Bajern Mynih dhe Borusia Dortmund para finales së Ligës së Kampioneve. Dy klubet gjermane kanë një rivalitet të ndezur mes tyre, sidomos në vitet e fundit kur kanë luftuar për titullin kampion ndaj njëri-tjetrit. Por situata u ndez më shumë muajin e kaluar, kur u mësua se bavarezët i kanë “:vjedhur” Borusias talentin Mario Gëtze, pasi lojtari do të shfrytëzojë klauzolën e largimit në kontratë për të kaluar nga një skuadër te tjetra.
Por shefi ekzekutiv i Bajernit, Rumenige, mendon se klubet duhet të përqendrohen më shumë te fakti se kjo është hera e parë që një finale e Ligës së Kampioneve është krejtësisht gjermane.
“Pas 12 vitesh, do të ketë një kampion gjerman. Mendoj se kjo është diçka për të cilën duhet të jemi krenarë, por edhe duhet ta shfrytëzojmë këtë shans në mënyrë sa më serioze që të jetë e mundur. Tallja me kundërshtarët, lufta apo edhe urrejtja, sidomos në javët e ardhshme, duhet evituar me çdo kusht. Shpresoj të ketë respekt të ndërsjellë”.
Bajerni mund të mbyllë sezonin me 3 trofe, pasi ka fituar kampionatin, ndërsa është në finalen e Kupës së Gjermanisë dhe Ligës së Kampioneve, një arritje për të cilën Rumenige ka përgëzuar skuadrën e Heinkes.
“Kemi thyer shumë rekorde në këtë vit. Askush nuk e ka fituar kampionatin më shpejt se ne. Statistikat po shihen ende në detaje por thuajse nuk ka mbetur rekord që nuk e kemi thyer. Ne thyem edhe rekordin për më shumë rekorde të thyer në një edicion të Bundesligës, diçka fantastike për ne”, deklaroi Rumenige. (LajmeShqip.com)
Monday, 13 May 2013 12:25