Arsen Venger, nëpërmjet editorialit të tij për “Eurosport”, ka parashikuar Bajern Mynih si fituesin e Ligës së Kampioneve në sfidën e sotme ndaj Borusia Dortmund.
“Nëse i shohim gjërat me qetësi, Bajern është favorit për të fituar Ligën e Kampioneve. Fillimisht eksperienca është në anën e tyre, pasi ata kanë arritur në 3 nga 4 finalet e fundit të këtij turneu. Më pas, ata kanë një armë më shumë përsa i përket pjekurisë të arritur si teknikisht, ashtu edhe taktikisht. Për të bërë një gjë të tillë të duhen lojtarë 28 apo 29 vjeçare dhe ata kanë një bazë të tillë me Shvajnshtajger, Riberi, Roben e Lahm”, shkruan Venger në editorialin e tij.
“Ata kanë vendosur një standard në futbollin evropian, jo vetëm me mënyrën se si mundën 7-0 Barcelonën në gjysmëfinale, por edhe pasi humbën finalen e një viti më parë. Ata u mundën me penallti përballë Çelsit, por mos harroni se mbajtën 70% të topit në atë ndeshje. Pastaj shihet qartë se kanë burime të jashtëzakonshme. Çelsi fitoi Ligën e Kampioneve një sezon më parë, por nuk arriti të kthehej përsëri në finale, ndërsa për Bajern kjo është finalja e tretë në 4 vite. Humbja e dy finaleve të mëparshme është një armë më shumë, pasi tani bavarezët duan të korrigjojnë gabimet e tyre”.
Por Venger ka paralajmëruar se Borusia Dormtund nuk do të dorëzohet lehtë, duke e bërë këtë skuadër shembull të suksesit të strategjisë së një klubi që nuk shpenzon shuma të çmendura dhe nuk ka pushtet të pakufizuar financiar.
“Borusia është një skuadër e shpejtë, teknike dhe që luan në kundërsulm. Ata luajnë vertikalisht me entuziazëm, paparashikueshmëri dhe një mentalitet sikur nuk kanë çfarë të humbasin. Ata janë një skuadër e vështirë për t’u mundur dhe mund t’i krijojnë probleme kujtdo, mund të bëjnë surpriza. Nëse do të luanin ndaj një skuadre të një shteti tjetër, mundësitë e tyre për të fituar do të ishin më të mëdha. Por ndaj Bajernit, që kontrollon futbollin gjerman, kjo përqindje bie, ndaj bavarezët i shoh si favoritë”.
“Bajern është një lloj përjashtim në futbollin gjerman, ata kanë fuqinë financiare më të cilin mundin rivalët e tyre, ndaj nuk përfaqësojnë realisht vendin ku luajnë. Dortmundi është shembulli më i mirë i një skuadre që ka punuar për të zhvilluar lojtarët. Por problemi i tyre është se nuk mund të mbajnë yjet, si Gëtze apo Levandovski. Kjo na kujton edhe një herë se skuadrat me fuqi të vogël ekonomike, duhet të nguten para se peshqit e mëdhenj t’i mbërthejnë”, deklaroi Venger. (LajmeShqip.com)
Saturday, 25 May 2013 08:58