Largimi miqësor i Luis Hemilton nga skuadra e MekLaren në Formula 1, me sa duket nuk ka qenë aq miqësor. Këtë fakt e ka konfirmuar një nga drejtuesit e kësaj skuadre, Ron Denis, i cili ka bërë të ditur se ishte skuadra ajo që largoi britanikun dhe jo ky i fundit që u largua me dëshirë drejt Mercedes.
Piloti britanik nënshkroi një kontratë trevjeçare me vlerën e 60 milion paund për skuadrën e tij të re, pasi refuzoi një ofertë më të ulët që i bëri MekLaren, ashtu siç konfirmoi më pas edhe një nga drejtuesit më të lartë të kësaj skuadre, Martin Uitmarsh.
Por Ron Denis, personi që solli britanikun te MekLaren që në moshën 13 vjeçare, insiston se kjo skuadër thjesht kishte vendosur të hiqte dorë nga kampioni i botës i viti 2008, duke vendosur t’i besonte të riut Serxho Perez.
“Është e gabuar të portretizojmë sikur Luis u largua nga kjo skuadër”, tha Denis për “CBI Magazine”. “Kjo ishte një situatë kur ndarja është e paevitueshme kur nuk ekzistojnë rrethanat e duhura”.
“Në këtë situatë, të gjithë fillojnë e mendojnë a janë të trishtuar për një gjë apo tjetrën. Por unë jam realist. A e kishim ne mundësinë që të krijonim një situatë në të cilën mund të kishim qëndruar të bashkuar? Kategorikisht po! A do të ishte ajo gjëja e duhur për t’u bërë? Ne nuk e menduam ashtu”, tha drejtuesi i MekLaren. (LajmeShqip.com)
Friday, 04 January 2013 16:22