Frank Riberi mendon se Bajern Mynih është “thjesht më i fortë” se Borusia Dortmund dhe kjo është arsyeja pse do të fitojë në finalen e Ligës së Kampioneve në fundjavë. Dy skuadrat vihen përballë njëra-tjetrës në stadiumin “Uembli” të shtunën në atë që është finalja e parë krejtësisht gjermane e këtij turneu.
Bavarezët mbyllën kampionatin në vendin e parë, me një avantazh prej 25 pikësh ndaj Borusias që mbajti vendin e dytë në renditje.
“Më bëri përshtypje se si Dortmundi arriti ta zbërthente Real Madrid në gjysmëfinale, por ne duhet të mendojmë vetëm për veten. E thënë më thjesht, ne jemi më të fortë”, ishte komenti i Riberi për faqen zyrtare të internetit të Bundesligës.
“Nëse ne do të jemi të gjithë të gatshëm për këtë sfidë dhe do të japim 100% të aftësive tona, do të dalim fitimtarë nga sfida. Ne e njohim Borusian edhe me detaje, do të jetë shumë e rëndësishme që të mos ushtrojmë trysni mbi veten. Ata janë një skuadër e fortë, fizikisht të fuqishëm dhe mbrohen mirë. Nuk e di nëse do të mbërrijmë më në finalen e Ligës së Kampioneve, ndaj kjo është arsyeja pse të gjithë do të japim maksimumin për të ngritur lart trofeun”, deklaroi francezi. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 22 May 2013 19:16