Simulatori kompjuterik është kthyer në një pjesë të pandashme të skuadrave të Formula 1, pasi pilotët testojnë javë pas jave aftësitë e tyre duke zhvilluar gara që përngjajnë me ato realet. Por ka edhe prej atyre pilotëve të cilët preferojnë që të mos ecin me hapat e risive teknologjike, si Kimi Raikonen, i cili ka bërë të ditur se nuk e përdor simulatorin elektronik të garave, qoftë edhe për të mësuar pistat e reja.
“Them vetëm se nuk më shërben për asgjë dhe e mësoj një pistë të re shumë shpejt pa pasur nevojë të përdor simulatorin elektronik. Unë nuk jam si të tjerët, ndaj nuk kam nevojë për të. Për më tepër, është shumë më interesante sfida të shkosh në një vend të ri dhe të memorizosh me shpejtësi pistën”, tha finlandezi.
Edhe statistikat i japin të drejtë atij. Shembulli konkret është në Austin në SHBA, ku u rendit shumë më mirë sesa Groszhan që kishte kaluar dhjetëra orë në simulator në tentativën për të mësuar sa më shpejt kthesat e pistës teksane. E njëjta gjë ndodhi edhe në Indi, ku ai ishte shumë më i shpejtë se shoku i skuadrës që kishte kaluar një sasi të madhe orësh gjatë javës për të mësuar pistën. (LajmeShqip.com)
Friday, 11 January 2013 11:06