Skuadra e Lotus është e para mes ekipeve të Formula 1 që prezanton makinën e saj për vitin 2013, me objektivin e qartë që këtë radhë të renditet mes tre më të mirëve në kampionatin e konstruktorëve. Këtë fakt e ka pohuar shefi i ekipit, Erik Bulier, i cili mendon se tashmë kjo skuadër mund të luftojë si e barabartë me ekipet e tjera të mëdha si Ferrari, Red Bull dhe MekLaren.
“Vendi i tretë është një objektiv që ne shpresojmë të arrijmë minimalisht në këtë vit. Do të luftojmë me gjithçka që kemi në dispozicion për të arritur në këtë pikë. Është e logjikshme të themi se gjëra të jashtëzakonshme janë të mundura për këtë ekip dhe për modelin E21. Po t’i shtosh këtyre edhe pilotët tanë fantastikë, them se kemi një përzierje të jashtëzakonshme për vitin në vazhdim”, tha ai.
Kimi Raikonen, Kampioni i Botës në vitin 2007, arriti të fitonte një garë në sezonin e kaluar, ndërsa shfaqi një formë shumë të mirë me Lotus në vitin e tij të parë pas rikthimit në botën e Formula 1.
“Nuk do të jetë e lehtë të përmirësojmë vitin e kaluar por ai është objektivi ynë. Ne mundohemi të bëjmë maksimumin në gara dhe besojmë plotësisht te njerëzit që ndërtuan makinën një vit më parë dhe tani. Mendoj se po të kualifikohemi më mirë, do të kemi më shumë shanse për të fituar gara”, tha finlandezi. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 29 January 2013 11:08