Skuadrës së Realit të Madridit nuk i ka mjaftuar fitorja 5-1 ndaj Granadas për të kaluar një fundjavë të qetë. Shkak është bërë “protesta” e Kristiano Ronaldos ndaj publikut të “Santiago Bernabeu” që e vërshëlleu disa herë gjatë ndeshjes.
Pas shënimit të golit të 5-të, portugezi nuk festoi me shokët e skuadrës, duke ecur me kokën poshtë, ngjarje kjo që është pasqyruar në faqet e para të të gjitha gazetave sportive spanjolle.
Megjithatë, madrilenët janë munduar që të qetësojnë gjakrat, ndërsa ka qenë zëvëndëstrajneri Karanka ai që ka folur për gjestin e futbollistit. “Ronaldo është një profesionist me eksperiencë. Ai ishte thjesht i mërzitur se gjërat nuk po shkonin siç duhej. Të gjithë e dimë që dëshiron shumë të shënojë gola dhe kur humb disa raste ndodh që mërzitesh në këtë mënyrë, nuk ishte asgjë më shumë ”, ishin fjalët e Karanka.
Më pas ka qenë Serxho Ramos që ka folur për ngjarjen në fjalë. “Kristiano është i lumtur. Tifozët thjesht kërkuan që ai të jepte më të mirën e tij dhe si rrjedhojë ai nuk e festoi golin që erdhi vetëm në fundin e ndeshjes kur nuk kishte shumë rëndësi”.
Githsesi, mediat spanjolle kanë bërë të ditur se protesta e Ronaldos vjen për faktin se drejtuesit e klubit nuk i kanë dalë asjëherë në mbrojtje kur ka patur përplasje me publikun madrilen, ndonëse mbetet lojtari më vendimtar i kësaj skuadre. (LajmeShqip.com)
Sunday, 08 January 2012 11:41