Barcelona hidhet në kundërsulm pas vendimit të FIFA-s për të pezullar për një vit merkaton në hyrje të klubit katalanas. Zv/presidenti i kampionëve në fuqi të Spanjës, Javier Faus, siguroi se ajo që po ndodh me Barcelonën nuk është e rastësishme, duke aluduar për një sulm të qëllimshëm.
“Asgjë nga kjo që po ndodh nuk është e rastësishme. Prej 5 vjetësh Barça është viktimë e një seri akuzash si ajo e dopingut apo e agresionit ndaj trajnerëve tanë, Guardiola dhe Villanova etj etj. Deklaratat e personazheve të caktuara, që janë të pavarur nga bordi drejtues, çështja Neymar, Messi….asgjë nuk është e rastësishme. Kërkojnë të prishin imazhin e Barcelonës, por ne duhet të jemi të bashkuar për të mos i lejuar”, është shprehur Javier Faus, zv/presidenti i Barcelonës.
Sipas Faus, Barcelona sulmohet nga njerëz që e kanë të vështirë ta pranojnë suksesin e katalanasve prej një dekade.
“Po hetojmë për të zbuluar se kush qëndron pas këtyre që po ndodhin dhe kur ta zbulojmë do të themi. Ka shumë njerëz që nuk e përtypin dot faktin që Barcelonapo fiton gjithçka dhe po shkëlqen me futbollin e saj prej një dekade. Drejtuesit dhe trajnerët shkojnë e vijnë, por Barça mbetet e njëjta”, vijoi Faus.
Krahu i djathtë i presidentit Josep Bartomeu, kujtoi se Barcelona investon më shumë se çdo klub tjetër në botë për akademinë, që pikësëpari formon njerëz më pas futbollistë të suksesshëm.
“La Masia është një mënyrë për të kuptuar futbollin. Është mëkat që sulmohen të rinjtë tanë, sepse asnjë klub në botë nuk investon sa në te skuadrat zinxhir. Rregulli i FIFA-s është i mirë për Azinë dhe Afrikën, ku ata që investojnë marrin qindra fëmijë më pas njërin e mbajnë e braktisin të tjerët, por nuk mund të aplikohet në futbollin tonë, pasi ne më parë formojmë njerëz njerëz pastaj futbollistë”, përfundoi drejtuesi katalanas. /albeu/
Thursday, 03 April 2014 16:27