Niko Rosberg ka çuditur të gjithë duke siguruar pole position për Mercedes në Çmimin e Madh të Bahreinit në Formula 1. Makina gjermane nuk dukej në gjendje të luftonte për vendet e para në vijën e nisjes, por një xhiro e shpejtë në fillimin e kualifikueses së tretë nga piloti gjerman bëri diferencën dhe rezultoi e pakalueshme nga të gjithë të tjerët.
Sebastian Vetel arriti të siguronte vendin e dytë në vijën e nisjes, ndërsa të tretin e ka marrë Fernando Alonso me Ferrarin, që premton shkëndija që në startin e garës së nesërme.
Luis Hemilton me makinën tjetër Mercedes regjistroi kohën e katërt më të shpejtë, por do të humbasë 5 pozicione në nisje pasi ndërroi marshin në makinë. Edhe Mark Veber që siguroi vendin e pestë, është detyruar të zbresë me 3 pozicione, për shkak të incidentit që ka shkaktuar në garën e një jave më parë në Kinë.
Këto penalizime kanë bërë që vendi i katërt në nisje t’i shkoje Felipe Masa me Ferrarin tjetër, ndërsa pas tij do të jenë dy makinat Force India të Di Resta e Sutil.
Vendi i 8-të i ka shkuar Kimi Raikonen, shumë larg kryesuesve në pistën e Bahreinit, ndërsa vetëm vendi i 10-të ka shkuar për Xhenson Baton me MekLaren. (LajmeShqip.com)
Saturday, 20 April 2013 17:54