“El Clasico” mund t’i buzëqeshë gjithmonë Barcelonës, por në kampionat është Reali i Madridit që buzëqesh pasi i është shkëputur katalanasve dhe ecën i qetë drejt titullit kampion. Madrilenët kanë mundur 3-1 Saragozën në ndeshjen e javës së 20-të, në një takim që ka qenë më i komplikuar se ç’pritej.
Kanë qenë miqtë që kanë shënuar të parët me anë të Lafita në minutën e 12-të, duke bërë që “Santiago Bernabeu” të heshtë duke menduar më të keqen. Por në minutën e 32-të është Kaka, i kthyer mes titullarëve pas provës bindëse ndaj Barçës në mesjavë, që gjen rrugën e rrjetës dhe çon skuadrat në baraspeshë në pushimin e ndeshjes.
Në pjesën e dytë, në fushë është vetëm Reali që dominon e krijon raste. Si rrjedhojë, vijnë edhe dy gola të tjerë me autorë Kristiano Ronaldon e Mesut Ozil, duke siguruar përfundimisht rezultatin e takimit dhe tre pikët e rëndësishme për klasifikimin.
Ndërkohë, Barcelona nuk ka arritur të mbajë hapin e kryesuesve dhe është ndalur në një barazim pa gola përballë Vijarealit. Katalanasit janë paraqitur në “El Madrigal” me një formacion të improvizuar për shkak të mungesave shumta për dëmtime. Si rrjedhojë, vendasit kanë arritur t’i bëjnë ballë sulmeve të tyre dhe t’i ndalin ata në luftën për titullin kampion.
Tashmë Reali i Madridit është shkëputur me 7 pikë para katalanasve dhe duket se ka krijuar një distancë sigurie përsa i përket luftës për titull. (LajmeShqip.com)
Sunday, 29 January 2012 00:32