Shtatë pikë diferencë me Realin e Madridit nuk janë asgjë për Barcelonën, e cila vazhdon të shpresojë te përmbysja dhe te fitimi i titullit kampion. Në vetë faqen zyrtare të klubit katalanas janë publikuar 5 arsyet pse tifozët e ekipit duhet të besojnë se titulli kampion mund të arrihet…
– Skuadra është në gjendje të përballojë çdo lloj situate. Barça e Guardolës nuk njihet për ekip që dorëzohet dhe rikuperimi është ndoshta një nga sfidat më entuziazmuese deri tani. Klubi ka fituar 13 nga 16 turnetë ku ka marrë pjesë në 3 vite e gjysmë dhe në secilin prej sezoneve duhej të udhëtonte në “Santiago Bernabeu” për të marrë titullin. Diferenca nuk ka qenë asnjëherë kaq e madhe, por këtë radhë, Reali duhet të udhëtojë për në “Kamp Nou”.
– Forma në shtëpi. Barça ka qenë e jashtëzakonshme ne “Kamp Nou” ku ka 9 fitore dhe një barazim, duke shënuar 43 gola dhe pësuar vetëm 2 ndaj Betis. Ky është sezoni i parë ku arrihet të ruhet e paprekur rrjeta në 9 ndeshjet e para në shtëpi.
– Përmirësim në ndeshjet jashtë. Skuadra ka barazuar 5 ndeshje dhe ka humbur 1 jashtë fushës së saj (17 nga 30 pikët e mundshme). Ky vazhdon të jetë rekordi i dytë më i mirë në kampionat deri tani për ndeshjet jashtë, por për Barcelonën është një rendiment më i dobët se në sezonet e fundit. Por nëse Barça fiton të 9 ndeshjet e mbetura jashtë, mund të barazojë rekordin e 13 sukseseve jashtë, ashtu si në 3 sezonet e mëparshme.
– Riaftësimi i të dëmtuarve. Skuadrës i kanë munguar lojtarë kyç në ndeshjet e fundit. Dëmtime afatshkurtra kanë ndikuar te Iniesta dhe Pedro, ndërsa Keita është në Kupën e Afrikës. Shumë shpejt, këta lojtarë do të kthehen ndërsa Vija dhe Afellai mund të jenë vendimtarë në fundin e sezonit.
– Historia flet vetë. Barça ka arritur gjëra të shkëlqyera nën drejtimin e Guardiolës, por edhe para mbërritjes së tij, klubi i është gëzuar një historie të jashtëzakonshme përmbysjesh.
Dy shembuj të famshëm janë përmbysjet në dy sezone radhazi me ndihmën e Tenerifes në vitet 1991/92 dhe 1992/93. Ashtu ishte edhe kampionati i vitit 1993/94, që u zgjidh në sekondat e fundit, në të njëjtën mënyrë si sezoni 2003/04, për të cilin mund të thuhet se ishte pika e kthesës për Barçën e mrekullueshme që kemi sot. (LajmeShqip.com)
Monday, 30 January 2012 18:39