Samir Nasri e di shumë mirë se tallje pa fund e presin atë te Mançester Siti nëse Anglia mund Francën në ndeshjen e të hënës në Euro 2012.
Dy rivalët e përhershëm takohen në ndeshjen e hapjes të Grupit D dhe ndonëse përballja është e një rëndësie të veçantë për të dy vendet për shkak të shpresave që kanë për t’u kualifikuar në fazën tjetër, Nasri është më shumë i shqetësuar për atë që e pret në dhomat e zhveshjes së klubit të tij.
“Nuk ka zgjidhje tjetër për mua, duhet që Franca të dalë fitimtare nga kjo sfidë”, tha ai në një intervistë për “France Football”. “Në të kundërt, kur të kthehem te Siti do të më tallin nga të gjitha anët”.
“Janë shokët e skuadrës që luajnë me Anglinë, Hart, Leskot dhe Milner, ndaj fitorja është detyrim!”. Ai më pas pranoi se rivaliteti mes dy skuadrave mbetet po aq i zjarrtë sa gjithmonë, por sipas tij, kjo vjen nga respekti që ndjejnë dy palët për njëra-tjetrën.
“Në Angli, njerëzve i pëlqejnë “francezët” kur veshin fanellat e klubeve të tyre. Por me ekipin kombëtar nuk ka ndjenja të tilla. Me Anglinë, respekti fitohet në fushën e lojës. Këtë e kam parë qartë pas suksesit tonë në “Uembli” në vitin 2010”, tha lojtari që luan prej shumë vitesh në kampionatin anglez. (LajmeShqip.com)
Friday, 08 June 2012 16:01