Milan i ka dhënë mundësinë Juventusit të shkurtojë në 2 pikë diferencën mes dy skuadrave pas barazimit 1-1 në fushën e Katanias. Por ky barazim ka ardhur mes polemikave, nga Milani por edhe nga Katania. Shkak është bërë një gol fantazmë që nuk është dhënë në favor të kuqezinjve si dhe një gol i anuluar për Katanian për pozicion jashtë loje të dyshimte të Gomez.
Kuqezinjtë, të lodhur edhe nga ndeshja me Barcelonën në mesjavë dhe duke menduar për atë të radhës në “Kamp Nou”, kanë vendosur të lënë pushim Nestën e Sedorf, ndërsa edhe Boateng është ulur përsëri në pankinë. Kjo i jep mundësinë Katanias të ndërtojë lojë e të vërë në vështirësi ekipin e Alegrit.
Por klasi i Zlatan Ibrahimoviç bën diferencën, pasi suedezi arrin të nxjerrë të lirë para porte Robinjon në minutën e 34-t dhe ky i fundit dërgon qetësisht topin në rrjetë. Katania kundërpërgjigjet me gjuajtjen e Gomez, që ndalet nga traversa pak minuta më vonë.
Mesfushori i vendasve gjen edhe rrugën e rrjetës në minutën e 47-të, por vijërojtësi anulon për pozicion jashtë loje të dyshimte. Megjithatë, barazimi nuk vonon me Spolin i cili dërgon topin në rrjetë pas zhvillimit të një goditje nga këndi kur shënohet minuta e 57-të e ndeshjes.
Në minutën e 65-të vjen edhe episodi shumë i diskutueshëm kur Robinjo gjuan drejt portës dhe Markeze që e largon topin nga vija fatale, mes protestave të Milani që kërkon të sinjalizohet goli. Nga ky moment ndeshja ndizet më shumë, por asnjë nga skuadrat nuk arrin të gjejë më rrugën e rrjetës.
Takimi përfundon 1-1 me kuqezinjtë e inatosur se i kanë dhënë një tjetër mundësi Juventusit të afrohet në renditje, ndërsa trajneri Alegri ka ftuar bardhezinjtë të mos ankohen më për gjyqtarët. (LajmeShqip.com)
Saturday, 31 March 2012 20:35