Juventus ka përfituar nga hapi i gabuar i Milanit për të shkurtuar në dy pikë diferencën me kreun e renditjes dhe për të rihapur luftën për titullin kampion. Skuadra e Antonio Kontes ka mundur 3-0 Napolin në një përballje pa shumë histori mes dy ekipeve ku vendasit kanë dominuar ndjeshëm gjatë të gjithë ndeshjes.
Bardhezinjtë kanë imponuar ritmin e tyre që në minutat e para duke provuar në disa mënyra për të kaluar në avantazh, ndërsa Napoli mendon vetëm si të mbrohet, duke lënë shumë të izoluar përpara Lavecin e Kavanin. Rastet më të mira për vendasit vijnë falë goditjeve të dënimit të Pirlos, por De Sanktis arrin të shpëtojë portën e tij me ndërhyrje vendimtare.
Megjithatë, portieri i napolitanëve nuk arrin të bëjë asgjë në minutën e 53-të të ndeshjes kur Bonuçi devijon në portë një gjuajtje të Vuçiniç për të kaluar në avantazh bardhezinjtë. Napoli nuk reagon dhe për më tepër fillon të lërë më shumë hapësira në prapavijë, duke i krijuar mundësinë Juventusit që ta vërë në vështirësi në kundërsulm.
Në një nga këto raste, në minutën e 75-të, është Vidal që shënon një gol spektakolar pasi trullos mbrojtjen e Napolit me fintet e tij, para se të lëshojë një të majtë të pakapshme në portën e De Sanktis.
Ndeshja është praktikisht e mbyllur, por jo për Kualjarelan, i cili shënon golin e tretë pas një asisti perfekt të Del Pieros, për të vulosur suksesin 3-0 të bardhezinjve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 01 April 2012 22:39