Milan-Barcelona, sfida e parashikuar si një festival golash nga prania në fushë e Zlatan Ibrahimoviç dhe Lionel Mesi, ka zhgënjyer duke përfunduar 0-0. Pavarësisht një dueli të ndezur mes dy skuadrave, loja është zhvilluar më shumë në mesfushë, nga frika për të mos pësuar e ekipeve që janë mbrojtur më shumë se sa kanë sulmuar.
Ndeshja në fillim dukej sikur do të dhuronte shumë emocione, sidomos kur pas vetëm 2 minutash është Robinjo që shfaqet i vetëm para portës katalanase por gjuajtja e tij përfundon shumë lart mbi traversë.
Përgjigja e Barcelonës vjen me Mesin, por gjuajtja e tij grushtohet nga Abiati, e më pas është Antonini që nuk lejon Dani Alvesh të tentojë portën. Një rast tjetër për t’u shënuar është ai i minutës së 19-të, kur Ibrahimoviç ka mundësi të gjuajë në portën e ish-skuadrës së tij por tentativa është shumë e lehtë dhe suedezi sheh Valdez të kontrollojë me qetësi.
Ndeshja kalon më pas krejtësisht në kontrollin e Barcelonës që qarkullon topin duke u munduar që të gjejë ndonjë të çarë në mbrojtjen kuqezi por pa sukses, për shkak të një rreshtimi të vendasve ku edhe Sedorf luan para mbrojtjes.
Edhe pjesa e dytë është njëlloj si e para, me shumë pak momente për t’u mbajtur mend. Emocionet para portës mungojnë dhe zëvendësohen nga lufta sportive, ku nuk mungojnë faullet në mesfushë për të ulur ritmin nga të dy ekipet. Shkëndijat e fundit i japin Mesi dhe Tejo ku i pari gjen përsëri gati grushtimin e Abiatit, ndërsa i dyti ndalet nga ndërhyrja vendimtare e Antoninit.
Përfundon 0-0 dhe duket se gjithçka do të vendoset në “Kamp Nou”, aty ku këtë radhë Barcelona është e detyruar të sulmojë për të fituar dhe ku të gjithë presin “festivalin e golave” të premtuar. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 28 March 2012 22:07 