Duket se Barcelonës nuk i ka pëlqyer shumë barazimi pa gola në “San Siro” përballë Milanit, ndonëse për pjesën tjetër të skuadrave evropiane ky do të ishe një rezultat mëse i kënaqshëm, meqë bëhet fjalë për çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.
Katalanasit kanë gjetur “armiqtë” kryesorë për këtë rezultat: fushën e keqe të stadiumit “San Siro” dhe gjykimin e suedezit Erikson, i cili sipas tyre nuk u ka dhënë dy penallti të pastra.
Ashtu si Arsen Venger para tij, edhe Pep Guardiola ka përmendur fushën e stadiumit gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes. “Milan duhet të marrë masa për këtë fushë. Ne luajmë kudo që të na thuhet se duhet të luajmë, po nuk besoj se Inter dhe Milan e meritojnë një terren në kushte të tilla. Ky terren është i keq për spektaklin dhe shpesh është shumë i rrezikshëm për lojtarët që rrëshqasin”, ishin fjalët e tij.
I të njëjtit mendim ka qenë edhe Lionel Mesi. “Loja jonë u vështirësua nga kushtet e terrenit të lojës”, ishte komenti i tij në faqen zyrtare të klubit.
Ndërkohë, çështja e gjykimit ka qenë krejtësisht temë tjetër, ku Viktor Valdes, Ksavi e Pujol kanë shprehur pakënaqësi për mënyrën e drejtimit të kësaj ndeshje.
“E kam parë edhe në përsëritje, gjyqtari nuk desh ta jepte penallti”, ishte komenti i Pujol i cili pretendonte për një tërheqje nga fanella në zonën e Milanit. Edhe Viktor Valdes është i mendimit se gjyqtari ndikoi në rezultatin përfndimtar. “Mund të ndryshonin shumë gjëra, ishin shumë raste të tilla”, tha ai.
Ndërsa Ksavi mendon se rasti i Sançez, i ndalur nga Abiati, ishte ai më i pabesueshmi. “Ai i Sançez ishte një penallti e jashtëzakonshme”, tregoi mesfushori i Barcelonës.
Vetë Guardiola ka preferuar të anashkalojë këtë çështje. “Dy penallti për ne? Nëse gjyqtar nuk i ka dhënë do të thotë se nuk i ka parë si të tilla”, ishte komenti i tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 29 March 2012 16:30 