Lajmi i përhapur në mediat italiane se kompania braziliane e fondit të investimeve, “DIS”, po kërkon të dërgojë sulmuesin shqiptar Armando Sadiku në radhët e Korinthians, ka bërë mjaft bujë. Rreth kësaj teme ka folur edhe menaxheri i futbollistit, Sokol Haxhia, i cili ka konfirmuar se për sulmuesin e Luganos ka interes nga shumë klube të njohura, ndërsa nuk do t’i thuhej jo një oferte të mundshme nga Brazili.
“E kam lexuar edhe unë ditët e fundit këtë histori rreth një kontakti mes presidentit të Luganos dhe përfaqësuesve të kompanisë. Por të shohim se çfarë do të ndodhë, pasi për momentin me ne nuk ka pasur kontakte të drejtpërdrejta”.
“Korinthians është një skuadër e madhe. Nga ana jonë dyert janë të hapura për një marrëveshje të mundshme, pasi ky është një klub shumë i rëndësishëm. Por e përsëris se për momentin nuk ka pasur kontakte të reja”, shpjegoi Haxhia.
Sipas tij, lojtari ka tërhequr vëmendjen e klubeve të Serisë A, edhe atyre shumë të rëndësishme.
“Në janar e kërkoi Siena? Siena dhe jo vetëm ajo! Me përjashtim të Milan, Juventus, Inter dhe Roma, të gjithë klubet e tjera e kanë monitoruar në vazhdimësi lojtarin. Por blerja e tij është e lidhur me pasaportën e ekstrakomunitarit që ka, pasi është futbollist shqiptar. Do të shohim se çfarë mund të ndodhë në ditët në vazhdim, pasi për momentin diskutimet nuk kanë shkuar më shumë se interesimi për një transferim të mundshëm gjatë verës”, shpjegoi Haxhia për sulmuesin shqiptar që ka shkëlqyer në dy vitet e fundit në kampionatin zviceran. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 16 April 2013 09:53