Nga mediat italiane sot ka dalë një lajm i bujshëm i merkatos të futbollistëve shqiptarë. Armando Sadiku, sulmuesi i përfaqësueses kuqezi, ka tërhequr vëmendjen e një prej klubeve më të njohura braziliane, Korinthians, që është gati të realizojë transferimin e tij gjatë verës.
Në lajmin e publikuar nga faqja e specializuar e internetit tuttomercatoweb.com, sqarohet se si futbollisti shqiptar që aktivizohet te Lugano në Zvicër, po ndiqet nga ekspertët e kompanisë DIS. Kjo kompani, që në fakt është një fond investimi, aktualisht përfaqëson të drejtat e Korinthians për blerjen e lojtarëve, pasi në Brazil lejohet që kartoni i një futbollisti të zotërohet nga një palë e tretë.
DIS është interesuar për lojtarin dhe po mendon të blejë kartonin e tij, duke e transferuar sulmuesin 22 vjeçar në Brazil, për të luajtur me fanellën e këtij klubi legjendar, fitues në fuqi i Kupës Libertadores. Atje, ai do të formonte dyshen e sulmit as më shumë e as më pak por me vetë Aleksandre Pato, sulmuesin e Brazilit që u transferua në janar te klubi i vendlindjes nga radhët e Milanit.
Sadiku ka ngjallur shpesh interesin e klubeve të njohura evropiane por deri tani, askush nuk ka bërë një lëvizje konkrete për të siguruar shërbimet e tij. Fakti që ai luan në kombëtaren shqiptare të futbollit ka rritur ndjeshëm interesimin për sulmuesin, i cili në këto sezone në Zvicër ka shkëlqyer duke u kthyer në një golashënues të mirëfilltë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 11 April 2013 18:40