Xhenson Baton dhe Serxho Perez kanë zbuluar sot modelin e ri të MekLaren për kampionatin e Formula 1 të këtij viti, duke shpresuar që të jenë kandidatë për titullin kampion. Baton, për të cilin ky është kampionati i katërt me ekipin britanik, si dhe Perez, zbuluan modelin MP4-28 në qendrën e skuadrës në Uoking.
Prezantimi i MekLarenit të ri ishte i pari pas Luis Hemilton që nga viti 2006, pasi piloti britanik i dha lamtumirën skuadrës për të shkuar te Mercedes ku ka firmosur një kontratë trevjeçare.
“Mund të duket si e njëjtë me makinën e vitit të kaluar por “nën lëkurë” është krejtësisht ndryshe. Kanë qenë disa javë mjaft entuziazmuese pasi kemi kaluar shumë kohë duke ndërtuar makinën dhe më në fund e pamë të kompletuar një natë më parë”, ishin fjalët e Baton gjatë prezantimit.
Nëse britaniku është tani numri 1 i skuadrës dhe kandidat për titull, edhe i riu Perez duket se është gati për këtë sfidë të re dhe të rëndësishme ku i duhet të konfirmojë se provat e shkëlqyera të vitit të kaluar te Sauber nuk ishin rastësi.
“Fillojmë sezonin me qëllimin për të fituar një kampionat botëror dhe kjo është ajo që synojmë të gjithë. Më duket ende e pabesueshme që jam pjesë e kësaj skuadre dhe pres me padurim të fillojmë garat për objektivat e këtij sezoni”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Thursday, 31 January 2013 18:03