Ecuria e Juventusit nuk ndalet. Përballë skuadrës që këtë sezon po luan futbollin më të bukur në Itali, Udinezes, skuadra e Kontes ka fituar duke ditur të imponojë ritmin dhe duke shfrytëzuar në maksimum potencialin e saj sulmues.
Pa Vuçiniç të dëmtuar, Juventus është shfaqur në fushë me një formacion ku mes titullarëve mungonte edhe Markizio, ndërsa Kualjarela është partner i Matrit në repartin e avancuar. Menjëherë janë vendasit që tregojnë se duan me çdo kusht të fitojnë ndeshjen, duke imponuar ritmin e tyre por edhe duke qenë mjaft të vëmendshëm në prapavijë përballë kundërzbritjeve të Di Natales.
Goli i avantazhit për Juven vjen në minutën e 42-të, kur Matri arrin të shtyjë në rrjetë një grushtim të Handanoviç ndaj gjuajtjes me kokë të Kualjarelës. Por entuziazmi i vendasve nuk zgjat, pasi me fillimin e pjesës së dytë, një aksion model kundërsulmi i Udinezes sjell baraspeshën në shifra. Një kombinim Armero-Di Natale-Floro Flores, nxjerr këtë të fundit para portës dhe ai nuk gabon duke e dërguar topin pas krahëve të Bufon.
Për të zgjidhur situatën mendon përsëri Matri, i cili në minutën e 62-të arrin të rrotullohet në zonë dhe dërgon topin aty ku Handanoviç nuk mund të arrijë, duke kaluar përsëri përpara Juventusin.
Konte vendos të mos rrezikojë më dhe i jep udhëzime lojtarëve që të mbrojnë rezultatin në minutat e mbetura, gjë që juventinët e bëjnë më së miri. Ata marrin tre pikë që i vlejnë jo vetëm për të ruajtur kreun e renditjes, por edhe për t’u shkëputur tashmë 6 pikë nga Udineze që ishte një nga rivalët.
Në takimin tjetër të së shtunës, Katania dhe Parma janë ndarë në paqe në barazimin 1-1. (LajmeShqip.com)
Saturday, 28 January 2012 23:17