Trajneri i Juvenusit, Antonio Konte, ka treguar se është një perfeksionist dhe pavarësisht fitores 2-1 ndaj Udinezes, nuk ka festuar, po ka menduar si të korrigjojë gabimet e shfaqura nga skuadra gjatë këtij takimi.
“I bëra komplimente lojtarëve pasi ishte një ndeshje që duhej fituar duke vuajtur dhe ne e bëmë një gjë të tillë. Por u kam thënë edhe se duhet të përmirësojmë mbajtjen e topit. Kaluam në avantazh por Udineze na priste në mesfushën e saj dhe kemi humbur topin disa herë në raste ku ata mund të na dëmtonin rëndë. Goli i tyre ishte një dhuratë që ia bëmë ne. Duhet të ishim më të vëmendshëm, por edhe kjo bën pjesë në procesin e rritjes”, ishte komenti i Kontes.
Tekniku i bardhezinjve ka thurur elozhe në veçanti për Xhakerinin, një futbollist që mbërriti pa bujë nga Çezena gjatë merkatos verore, por që është treguar mjaft i vlefshëm në manovrën e ekipit duke luajtur në pozicione të ndryshme.
“Xhakerini? Ajo që po përjeton ai është një përrallë e bukur! Ka intensitet, ritëm, teknikë, kalon kundërshtarin, gjen kohën e duhur për depërtimin. Shembulli i tij duhet të na japë forcën që të investojmë te lojtarët që vijnë nga skuadra më të vogla”, përfundoi trajneri i kryesuesve të kampionatit italian. (LajmeShqip.com)
Sunday, 29 January 2012 10:37