Mançester Junajtid po bën provat e arratisjes përfundimtare për të siguruar sa më parë titullin kampion. Skuadra e Aleks Ferguson ka fituar me rezultatin 1-0 në fushën e Fullhem dhe tashmë ka 10 pikë diferencë nga Mançester Siti që mban vendin e dytë.
“Djajtë e kuq” kanë vuajtur për të marrë këtë fitore në një ndeshje shumë të ekuilibruar pasi Fullhem ka luajtur si i barabartë përballë kryesuesve. Përqendrimi në fushën e lojës ka qenë maksimal nga të dy palët dhe nuk është prishur as kur në minutën e 41-të, ndeshja është ndërprerë për shkak të fikjes së dritave në stadiumin “Kreiven Kotixh”.
Loja është ndërprerë për disa minuta, për të vazhduar rregullisht pas rikthimit të energjisë elektrike, por ekuilibri në fushë nuk është prishur deri në minutën e 79-të, atëherë kur Uejn Runi ka treguar talentin e tij me një gjuajtje që ka përfunduar pas krahëve të portierit Shvarcer. Pavarësisht tentativave të vazhdueshme të Fullhem, Mançester Junajtid ka arritur të ruajë rezultatin dhe kur kanë mbetur 13 javë nga fundi i kampionatit, sheh titullin t’i afrohet gjithnjë e më shumë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 02 February 2013 20:45