Komiteti Olimpik i Kosovës, ka shpallur futbollistin Lorik Cana “Ambasador Special të Sportit të Kosovës”, një titull me të cilin nderohen figurat elitare të sportit shqiptar. Duke patur parasysh edhe angazhimin e futbollistit në aktivitete sociale jashtë fushës së lojës, ky titull do të ndihmojë në rritjen e imazhit të Kosovës në të gjithë botën.
Në ceremoninë e organizuar në një nga hotelet e Prishtinës, në praninë e shumë personaliteteve të sportit kosovar, Canës i është dorëzuar ky titull nga Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, i cili ka folur për vlerat e këtij nderimi. Ndërkohë, vetë futbollisti ka përshëndetur të pranishmit dhe ka premtuar se do të bëjë maksimumin në mënyrë që fëmijët kosovarë të kishin mundësi që në një të ardhme sa më të afërt të zhvillonin lirshmërisht aktivitete sportive në çdo kënd të botës.
“Do të loboj në mënyrë që Komiteti Olimpik i Kosovës të anëtarësohet sa më shpejt në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe si rrjedhojë të përfundojë ky izolim disavjeçar i sportit kosovar”, tha ai. Lorik Cana mban edhe titullin e “Ambasadorit të vullnetit të mirë” për UNDP, ndërsa ka marrë pjesë në disa ndeshje bamirësie të kësaj organizate.
Ndërkohë, mesfushori nuk ka harruar të flasë edhe për situatën e tij te Lacio, ndërsa në një deklaratë për mediat italiane ka bërë të qartë se nuk do të iki gjatë merkatos së janarit.
“Në fillim u ndesha me disa vështirësi, por tani po aktivizohem më shumë. Jam i lumtur dhe sidomos optimist për situatën te Lacio. Në të kaluarën kam qenë gjithmonë thelbësor për skuadrën dhe trajnerët që më kanë patur në dispozicion. Jam i bindur që edhe në Romë do të vijë momenti në të cilin do të gjej më shumë hapësira. Dëshira ime për vitin 2012 është të bëhem pjesë e titullarëve në ekipin tim”, tha ai.
Cana u shpreh se ndjehet krenar që është një përfaqësues i futbollit shqiptar në Itali. “Është një gjë e bukur të valëvis flamurin shqiptar në një arenë futbolli të rëndësishme si ajo italiane. Kjo më bën krenar dhe shpresoj që në të ardhmen, shumë të tjerë të arrijnë të më ndjekin në këtë rrugë”, deklaroi kapiteni i përfaqësueses shqiptare të futbollit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 27 December 2011 20:32