Lorik Cana ka hedhur poshtë të gjitha zërat për një largim të mundshëm të tij nga skuadra e Lacios dhe kampionati italian i futbollit, ndonëse gjatë periudhës së fundit ka patur interesim nga klube gjermane dhe angleze për mesfushorin e përfaqësueses shqiptare.
Futbollisti tani ka gjetur më shumë hapësira në formacionin e skuadrës dhe dëshiron që të vazhdojë me këtë ritëm. “Deri tani nuk kam menduar asnjëherë të largohem, ndjehem mirë dhe dua të bëj sa më mirë me Lacion. Nuk e di sesi do të jetë e ardhmja por unë kam një raport të mire me të gjithë: klubin, shokët e mi dhe tifozët.
Ndjehem i lirë, nëse do të kisha menduar të largohesha do të kisha folur tashmë me presidentin apo me drejtorin sportiv, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Dua të vazhdoj të përmirësohem bashkë me skuadrën”, deklaroi mesfushori shqiptar duke folur për një radio të kryeqytetit italian.
Cana ka vlerësuar rolin e Igli Tares, drejtorit sportiv të Lacios, në marrëveshjen që e solli atë në Itali gjatë merkatos së verës. “E njoh Taren që nga viti 2002, kemi luajtur bashkë për shumë vite në kombëtare. E njoh mirë si futbollist, si njeri dhe si shok.
Në fushën e lojës, ai është drejtori sportiv, unë jam një futbollist i Lacios. Natyrshëm që jashtë fushe ekziston një lloj tjetër raporti. Kjo më shtyn të bëj më mirë dhe është arsye sodisfaksioni edhe për të nëse unë paraqitem mirë.
Në momentin kur po merrja vendimin për të ardhmen time, në mëdyshje mes Gjermanisë dhe Anglisë, Tare ishte vendimtar duke më bindur që të vija në Romë. Dua që të jap maksimumin edhe për këtë arsye”, përfundoi kapiteni i përfaqësueses shqiptare të futbollit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 31 December 2011 11:00