Sebastian Vetel është shfaqur mjaft polemik në fjalët e tij të para si kampion i trefishtë bote në Formula 1. Piloti i Red Bull, përveç gëzimit për suksesin e radhës, ka akuzuar kundërshtarët se janë munduar që ta ndalin në mënyrë të parregullt për t’i hequr nga duart këtë titull kampion.
“Është e vështirë të gjesh fjalë. Kam ende shumë adrenalinë në trup. Ka qenë një garë e pabesueshme, më e vështira në karrierën time. Kanë provuar në të gjitha mënyrat për të na vështirësuar punën. Kur u rrotullova në kthesën 4 që në xhiron e parë, kisha ndjesi mjaft negative, por ishte pozitiv fakti që askush nuk u përplas me mua në ato momente”, shpjegoi 25 vjeçari.
“Shumë kundërshtarë kanë provuar lëvizje të parregullta, sipas nesh edhe përtej limiteve normale, por asnjëherë nuk u shpërqendruam apo irrituam me ta. Kemi shtyrë deri në fund, edhe pse u munduan të na nervozojnë duke deklaruar se do të kishim probleme në shi. Kemi treguar se jemi konkurrues në çdo lloj kushti atmosferik”, ishin fjalët e gjermanit që ka hyrë në librin e historisë si më i riu që arrin të fitojë tre tituj botërorë në Formula 1. (LajmeShqip.com)
Monday, 26 November 2012 09:55