Skuadra MekLaren pushtoi vijën e parë të nisjes në garën e fundit të sezonit të Formula 1 në Brazil, ku do të diskutohet titulli kampion, ndonëse asnjë prej dy pilotëve të saj nuk synon shkallët më të lartë të podiumit të kampionatit. Luis Hemilton, në garën e tij të fundit si pilot i kësaj skuadre, siguroi vendin e parë, duke ia rrëmbyer atë Xhenson Baton në xhirot e fundit, ndërsa dy pretendentët e titullit, Vetel e Alonso, përfunduan respektivisht i katërti dhe i teti.
Asnjëri prej dy pretendentëve për titull nuk dukej i shpejtë mjaftueshëm sa për të luftuar për “pole position”, pasi MekLaren mori menjëherë kryesimin në kualifikueset e treta. Hemilton dhe Baton ishin më të shpejtë që në xhirot e para, me Alonson që regjistroi kohën e 5-të dhe Vetel që regjistroi kohën e 6-të. Më pas, Alonso nuk arriti të përmirësonte kohën e tij, ndërsa të gjithë pilotët e tjerë dukeshin shumë të shpejtë dhe parakaluan me radhë spanjollin e Ferrarit.
Në vendin e tretë në nisje do të jetë Mark Ueber, një aleat më shumë për Vetel në garën që përcakton titullin pasi me shumë mundësi do të lërë të kalojë pa probleme shokun skuadrës që në nisje dhe më pas do të mundohet të mbajë mbrapa të gjithë të tjerët.
Vendi i 5-të i kaloi Felipe Masa të Ferrarit, që do të mundohet të ndihmojë edhe ai shokun e skuadrës duke kontrolluar pilotët që e ndjekin, Maldonado e Hulkenberg, në mënyrë që Alonso të ketë mundësinë të fitojë pozicione dhe të luftojë për t’iu afruar sa më shpejt Vetel.
Pavarësisht parashikimeve, gjatë provave ra vetëm një shi i lehtë, ndërsa nuk pritet që gjatë garës së nesërme të ketë shumë reshje, të cilat në letër favorizojnë Alonson që është një ekspert në pistë të lagur. (LajmeShqip.com)
Saturday, 24 November 2012 19:58