Mançester Junajtid ka fituar derbin në fushën e Mançester Sitit në mënyrën më dramatike të mundshme, në minutat shtesë të ndeshjes, duke u hakmarrë disi për titullin e humbur në sezonin e kaluar përballë “kushërinjve”. Në një ndeshje shumë të luftuar, rezultati 3-2 i ndeshjes është vulosur pas një përballje spektakolare që ka dhuruar emocione të shumta.
Mançester Siti, para tifozëve të vet, ka dominuar që në minuat e para, duke krijuar raste dhe duke u përpjekur të gjejë rrugën e rrjetës. Por Mançester Junajtid është treguar mjaft cinik dhe ka gjetur shpejt dy herë rrjetën me Uejn Runin në të vetmet raste që ka patur në pjesën e parë, me sulmuesin që ka treguar se nuk ka humbur nuhatjen e golit dhe se në ndeshjet kundër Sitit jep më të mirën e tij.
Pjesa e dytë, e filluar mes gabimeve të gjyqtarit dhe polemikave të vazhdueshme, ka sjellë fillimisht shkurtimin e diferencës nga Jaja Ture, ndërsa kur mbeteshin edhe 4 minuta deri në fundin e sfidës, Zabaleta vendosi barazpeshën me një gjuajtje në hyrje të zonës.
Por ndërsa takimit po i afrohej fundi dhe Mançester Siti ishte në sulm në kërkim të një goli të tretë mëse të merituar, vjen edhe goditja e papritur e Junajtid që gjen golin e fitores në minutën e 93-të me anë të Robin Van Persi, goditja e dënimit e të cilit devijohet nga Nasri dhe përfundon pas krahëve të Hart.
Pas këtij goli ka edhe tension në stadium, pasi disa tifozë vendas zbresin në fushë dhe kërkojnë të përballen me portierin Hart, të cilin e shohin si fajtor për golin e tretë, ndërsa situata qetësohet vetëm nga ndërhyrja e policisë që rivendos rendin në minutat e mbetura, ku nuk ndryshon asgjë dhe mbetet në fuqi fitorja 3-2 e Junajtid. Me këtë sukses, skuadra e Ferguson është shkëputur 6 pikë në kreun e renditjes larg Sitit, por ajo që është më e rëndësishme, i ka dhënë një goditje shumë të fortë psikologjike ekipit të drejtuar nga Mançini. (LajmeShqip.com)
Sunday, 09 December 2012 16:37