Interi është gjysmëfinalist i Kupës së Italisë, pasi ka arritur të kalojë skuadrën e Bolonjës në një ndeshje dramatike dhe emocionuese, e cila është mbyllur 3-2 për zikaltërit pas kohëve shtesë.
Në takimin e luajtur në “San Siro”, skuadra e Stramaçionit ka kaluar në avantazh në minutën e 34-t me Guarin, i cili vazhdon të shkëlqejë në rolin e ri si organizator. Goli i dytë për vendasit, me autor Palacion në minutën e 77-të, mendohej se do të mbyllte ndeshjen dhe se Interi po shkonte qetësisht në fazën tjetër të turneut.Por Bolonja fillimisht ka rihapur gjithçka me anë të Diamantit në minutën e 81-të, ndërsa vetëm 3 minuta më vonë ka arritur barazimin e paparashikuar me Gabiadinin.
Meqë koha e rregullt u mbyll në barazimin 2-2, skuadrave iu deshën kohët shtesë për të përcaktuar fituesen e kësaj sfide. Pas emocioneve të shumta në të dy krahët, goli ka ardhur në stilin tipik të Interit, në minutën e fundit të shtesës së dytë, me autor Ranokian, që ka vulosur kalimin në gjysmëfinale të skuadrës së tij, ndërsa pret fituesen nga çifti Fiorentina-Roma. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 15 January 2013 23:46