Luis Hemilton ka sugjeruar se Sebastian Vetel mund të jetë “njeriu më me fat në Formula 1” pas arritjes së tij të jashtëzakonshme në Abu Dabi. Kryesuesi i botërorit u detyrua të nisej nga bokset si piloti i fundit, pas parregullsive me karburantin në kualifikuese. Pavarësisht një dëmtimi që pësoi në makinë në xhirot e para që shtoi më shumë vonesën e tij, Vetel arriti të mbyllte garën në vendin e tretë, falë përplasjeve të ndryshme që ndodhën në pistë dhe hyrjes dy herë të makinës së sigurisë.
Nga ana tjetër, Hemilton u detyrua të shihte një tjetër garë nga bokset, pasi makina e tij MekLaren e la në baltë pas vetëm 19 xhiros, kur ai po kryesonte qetësisht garën.
“Ishte një goditje e rëndë. Kisha një hap të mirë gjatë fundjavës dhe jam i sigurt se mund të kishim fituar. Po hyja në një kthesë dhe makina thjesht vdiq, është e pabesueshme pasi deri në ato momente po ecte si në ëndërr, pa asnjë problem”.
“U detyrova të ndjek garën si spektator nga ai moment. Është e pabesueshme se si Sebastian u nis i fundit nga bokset, duhet të jetë personi më me fat në botën e Formula 1”, tha ai për gjermanin që mbrojti kryesimin e tij në renditjen e botërorit.
I të njëjti mendim është edhe shefi i MekLaren, Martin Uitmarsh. “Vetel ishte i aftë të kalonte Baton, por edhe shumë me fat me makinat e sigurisë dhe shkatërrimin që po zhvillohej në pistë mes makinave para tij. Atij nuk iu desh të sforcohej për të kaluar disa nga makinat më të shpejta, pasi ato eliminuan njëra-tjetrën. Askush nuk priste të kishte dy herë makina sigurie në Abu Dabi, por ai ishte i aftë të përfitonte maksimalisht nga kjo mundësi. Në një mënyrë apo tjetrën, ai ishte shumë me fat”, deklaroi Uitmarsh. (LajmeShqip.com)
Monday, 05 November 2012 14:30