Luis Hemilton ka treguar se në pistën e Jas-Marina në Abu Dabi, ai është pretendent kryesor për fitoren e garës, duke marrë një pole-position të jashtëzakonshëm në provat zyrtare të zhvilluara sot. Piloti që do të largohet nga MekLaren në fund të këtij sezoni, ka arritur të dhurojë një xhiro rreth 1/3 sekonda më të shpejtë se Mark Ueber me Red Bull që mori vendin e dytë, duke konfirmuar dominimin e tij me pole-position të 25-të të karrierës së tij.
27 vjeçari ishte më i shpejti në pistë në të tre seancat e provave zyrtare, të cilat filluan me diell dhe mbaruan nën ndriçimin artificial, të kësaj piste spektakolare.
Vendi i tretë i shkoi Sebastian Vetel me Red Bull, por kryesuesi i kampionatit mund të përballet me sanksione, pasi ndali makinën në pistë në fundit e provave dhe rrezikon të rrëshqasë disa vende mbrapa në renditje nëse zbulohet se nuk ka patur karburant mjaftueshëm sa për të mbyllur xhiron.
Fernando Alonso me Ferrari nuk arriti të përfitonte nga problemet e rivalit për titull, ndërsa regjistroi vetëm kohën e 7-të më të shpejtë, duke patur para një tjetër garë në rikuperim, siç ka ndodhur shpesh gjatë kohëve të fundit.
Surpriza e kualifikuesve ishte Pastor Maldonado me Uilliams, pasi ai arriti të regjistronte kohën e katërt më të shpejtë në këtë pistë, duke konfirmuar se është mes atyre që pretendojnë për një vend në podium, bashkë me Kimi Raikonën që e ndjek në vendin e pestë me Lotusin e tij. (LajmeShqip.com)
Saturday, 03 November 2012 15:52