Luis Hemilton ka pranuar se ai fle rregullisht në makinën e tij të Formula 1, kur ai gjendet në garazhin e skuadrës. Piloti britanik ka zbuluar se ndenjësja e ndërtuar sipas kërkesave të tij në makinën Mercedes është aq e rehatshme, sa në disa raste ka dremitur edhe mes raundeve kualifikuese në provat zyrtare.
“Pozicioni i ndenjëses brenda makinës së garës është relativisht i shtrirë. Ndaj nëse je i ulur në makinë, është shumë e lehtë të të zërë gjumi ndërsa je në garazh. Zakonisht, gjatë kualifikueseve, mua më zë gjumi ndërmjet raundeve të ndryshme kur presim për të zbritur në pistë, pasi ndjehem shumë rehat brenda makinës”, ka zbuluar piloti britanik.
Hemitlon ka treguar se si ndërtohet një ndenjëse e tillë brenda makinës, në mënyrë që pilotët të përjetojnë çdo komfort të mundshëm gjatë garës.
“Ndenjësja përshtatet me formën e trupit tim. Ajo është shumë e lehtë dhe është e përbërë nga fibra karboni. Kur ulesh në të duket sikur je në një çantë, pasi ajo ka një lloj shkume që të rrethon trupin. Gjithçka peshon rreth një kilogram. kur ndërton ndenjësen për makinën, duhet të jesh i sigurt që ajo është perfekte në 100%, pasi do të kalosh gjithë vitin në të”, tregoi piloti britanik i Mercedes. (LajmeShqip.com)
Saturday, 06 April 2013 09:22