Trajneri i Suedisë, Erik Hamren, ka shpërthyer në akuza kundër vetë futbollistëve të tij pas humbjes 2-1 ndaj Ukrainës në ndeshjen e tyre të parë në Euro 2012. Pasi Andri Shevçenko shënoi dy gola në 6 minuta për t’i dhënë suksesin vendasve, Hamrin nuk ka kursyer edhe fyerjet ndaj lojtarëve.
“Ne nuk treguam kurajën që prisja nga lojtarët e mi. Ne ishim burracakë në pjesën e parë dhe mendoj se duhej të kishim bërë më shumë. Më duhen 11 lojtarë në formë pasi ne nuk jemi një skuadër e madhe dhe kemi vetëm 5-6 të tillë që treguan atë cilësi që dëshiroj unë. Ne e dinim se si do të luante Ukraina dhe kishim vetëm një lojtar për të ndalur, Shevçenkon, por ai u tregua më i fortë se ne dhe na shënoi dy gola”.
I mërzitur nga rezultati ishte edhe Zlatan Ibrahimoviç, i cili pa se si avantazhi i siguruar prej tij u përmbys brenda 10 minutash.
“Ky rezultat është i vështirë për t’u përtypur. Nuk duhej ta kishim humbur kurrë këtë ndeshje. Po kryesonim 1-0 dhe ishim në kontroll. Kjo nuk duhej të ndodhte. Tani situata është e tillë dhe kemi dy ndeshje për të dhënë një imazh më të mirë për veten”, tha sulmuesi suedez.
I vetmi që mund të gëzohet në kampin suedez pas ndeshjes së mbrëmshme është mbrojtës Olof Mellberg, i cili bëhet futbollisti i gjashtë pas Lotar Mateus (Gjermani), Peter Shmajkel (Danimarkë), Alesandro Del Piero (Itali), Edvin Van Der Sar (Holandë) dhe Lilian Turam (Francë), që luan në katër edicione të ndryshme të Kampionatit Evropian. (LajmeShqip.com)
Grupi D
11.06.2012
Francë-Angli 1-1
39’ Nasri / 30’ Leskot
Ukrainë-Suedi 2-1
55’, 61’ Shevçenko / 52’ Ibrahimoviç
Renditja
Ukrainë 3 2-1
Francë 1 1-1
Angli 1 1-1
Suedi 0 1-2
15.06.2012
Ukrainë-Francë 18:00
Donetsk (Ukrainë)
Suedi-Angli 20:45
Kiev (Ukrainë)
19:06.2012
Suedi-Francë 20:45
Kiev (Ukrainë)
Angli-Ukrainë 20:45
Donetsk (Ukrainë)
Tuesday, 12 June 2012 08:40