Fitorja e Gjermanisë ndaj Greqisë nuk ka kaluar pa polemika, jo për atë që ka ndodhur në fushën e lojës ku fitorja gjermane nuk u vu asnjëherë në diskutim, por për praninë e kancelares gjermane Angela Merkel në shkallët e stadiumit në Gdansk.
Tifozët grekë vërshëllyen dhe lëshuan thirrje kundër saj kur ajo u shfaq në ekranin e stadiumit në fillimin e ndeshjes, por sidomos kur ajo filloi të festonte golat e përfaqësueses gjermane në këtë sfidë. Kuptohet që këto festime kanë irrituar tifozët grekë, të cilët nuk është se kanë një admirim të madh për kancelaren gjermane që propozon rritjen e taksave në Greqi për të evituar krizën financiare në Eurozonë.
Në një situatë të tillë, edhe drejtuesit e regjisë televizive vendosën të mos jepnin më festimet e kancelares gjermane në stadium, për të mos irrituar më shumë tifozërinë greke që thërriste në kor kundër saj ndërsa Gjermania po fitonte ndeshjen.
Edhe tifozët gjermanë kanë qenë të përfshirë në “ndeshjen ekonomike” mes dy ekipeve. “Ju mund të merrni miliardat tonë, por jo trofeun”, ishte një parullë që u shfaq mes tifozëve gjermanë në fillimin e ndeshjes. Ndërsa pas përfundimit të takimit, “Bild” ironizoi me faqen e parë të gazetës. “Mirupafshim Greqi, sot nuk mundëm t’ju shpëtonim”.
Gjithsesi, batutën e ditës e bëri prezantuesja e edicionit të lajmeve të televizionit publik gjerman “ZDF”, Marieta Slomka, e cila gjatë pushimit të ndeshjes, filloi edicionin me fjalinë: “Nëse situata financiare e Greqisë do të ishte aq e fortë sa mbrojtja e tyre, atëherë Evropa do të kishte më pak probleme ekonomike”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 23 June 2012 16:01