Italia mund të quhet pa frikë surpriza më e këndshme e Euro 2012 pasi ka arritur të mposhtë Gjermaninë 2-1 dhe të sigurojë një finale të paimagjinueshme kundër Spanjës. Mario Baloteli ka qenë heroi i takimit duke shënuar dy gola në pjesën e parë, por italianët janë drithëruar deri në sekondat e fundit pas penalltisë së Ozil.
Lëv ka çuditur me formacionin e tij, duke kthyer Gomez e Podolski, por duke lënë jashtë Myler, për të aktivizuar Kros në vend të tij. Fillimi i vrullshëm i gjermanëve bën që të mendohet për një sukses të thjeshtë të skuadrës që shihej si pretendente. Por Italia arrin që me rrezikun e parë të gjejë rrugën e rrjetës falë Kasanos që i shmanget mbrojtjes dhe harkon një top në qendër, me Balotelin që ndjek aksionin dhe me kokë dërgon topin në rrjetë. Gjermania shtanget dhe shpërqendrohet, Italia falënderon dhe shënon përsëri. Këtë radhë është Montolivo që jep një top të gjatë për Balotelin, i cili ka kohën e duhur të ndalojë topin, ta rregullojë atë dhe pastaj të lëshojë një të djathtë të pakapshme për Nojer.
Lëv nuk humb kohë dhe në fillimin e pjesës së dytë nxjerr nga loja Gomez e Podolski, inekzistent në fushë, për të aktivizuar Klose e Reus. Ky i fundit ka menjëherë mundësinë të shkurtojë diferencën por nuk gjen kuadratin pas dy aksioneve të shpejta, ndërsa detyron Bufon të bëjë një super-grushtim për të shpëtuar portën e tij nga një goditje dënimi e ekzekutuar mjeshtërisht nga talenti gjerman.
Gjermanët rrezikojnë, por janë italianët që kanë rastet më të mira në kundërsulm, të humbura në mënyrë të pabesueshme me Diamantin, Markizion e Di Natalen, të cilet falin Nojer dhe lënë ndeshjen të hapur deri në minutat e fundit. Gjithçka bëhet më emocionuese kur pikërisht në mbarimin e kohës së rregullt, Gjermania shkurton diferencën me anë të Ozil pas një 11-metërshi të akorduar për prekje topi me dorë në zonë nga Balzareti. Por nuk ka më kohë dhe Italia fiton 2-1, duke vazhduar çuditë e saj përballë skuadrës gjermane, duke nxjerrë favoritët nga turneu.
Tashmë Italia do të shkojë në finalen e të dielës kundër Spanjës, ku përsëri nuk do të jetë skuadra favorite, por që sigurisht nuk do të nënvlerësohet më nga skuadra e Del Boskes, me të cilën ka barazuar 1-1 në ndeshjen në grup. (LajmeShqip.com)
Thursday, 28 June 2012 22:34