Garet Beil është padyshim një nga yjet më të shndritshëm të kampionatit anglez dhe me golat e tij po bën të mundur që Totenhem të luftojë për pozicione prestigjioze në renditje. Këtë radhë, një gol i jashtëzakonshëm në minutën e fundit i dha suksesin 3-2 ndaj Uest Hem skuadrës ë drejtuar nga Andre Vijas Boas, duke e ngjitur në vendin e tretë në renditjen e kampionatit anglez.
Uellsiani shënoi golin e tij të 15-të në kampionat në minutën e fundit të takimit me një gjuajtje nga distanca që u ndal në trekëndëshin e portës së mbrojtur nga Jaskelainen, i cili kishte dhuruar një paraqitje të jashtëzakonshme gjatë ndeshjes.
Beil kishte shënuar edhe golin e avantazhit për ekipin e tij në minutën e 13-të me një gjuajtje në hyrje të zonës, para se Endi Keroll të shënonte barazimin me një penallti vetëm 12 minuta më vonë. Uest Hem kaloi në avantazh në fillimin e pjesës së dytë, falë një goli të Xho Kol, por Gylfi Sigurdson barazoi gjithçka me gjuajtjen e tij nga afër kur mbeteshin 14 minuta lojë.
Por pastaj ishte goli i shkëlqyer i Beil që vendosi ndeshjen, duke ngjitur Totenhem në vendin e tretë, dy pikë para Çelsit dhe 4 para Arsenalit, në atë që është kthyer në një luftë të ethshme për dy vendet që të sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 26 February 2013 09:17